Zv/kryeministrja Albana Koçiu ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për qëndrimin e mazhorancës në çështjen e Belinda Balluku dhe ndikimin që kjo mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Pas mbledhjes së qeverisë, Koçiu u pyet nga gazetarët lidhur me shqetësimet e ngritura për refuzimin e mazhorancës në Kuvend për të dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut dhe nëse kjo përbën problem në raport me Bashkimin Europian.

Zv/kryeministrja deklaroi se qëndrimi i qeverisë nuk ka penguar drejtësinë dhe as procesin e negociatave me BE-në.

“Qëndrimi ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka penguar dhe as pengon BE-në dhe negociatat. Vendimmarrja e fundit e tregon më së miri se qeveria shqiptare, institucionet dhe PS në Kuvend kanë vijuar të dialogojnë në mënyrë konstruktive”, tha Koçiu.

Sipas saj, raporti pozitiv për IBAR dëshmon se Shqipëria nuk ka cenuar marrëdhënien me drejtësinë.

“Këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar drejtësinë shqiptare dhe nuk vihet në pikëpyetje raporti i saj me drejtësinë. Janë aludime të opozitës dhe atyre që përpiqen të njollosin Shqipërinë përditë, por nuk ia dolën”, deklaroi ajo.

Koçiu theksoi se fokusi i qeverisë mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

“Ne bëjmë detyrat me përkushtim dhe seriozitet. Është një punë e jashtëzakonshme e administratës publike”, u shpreh zv/kryeministrja.

Ajo kërkoi gjithashtu që raporti IBAR të interpretohet sipas formulimeve zyrtare të Komisionit Europian dhe jo përmes leximeve politike.

“Raporti i IBAR duhet të lexohet qartë, ashtu siç është shkruar. Është mirë të mos bëhen interpretime të gabuara”, përfundoi Koçiu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu