
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj debatit me organizatën Reporters Without Borders mbi situatën e mediave në Shqipëri, duke mbrojtur të dhënat e një analize të bazuar në inteligjencë artificiale që, sipas tij, rrëzon tezën e “mediave të kapura”.
Në një reagim publik, Rama e cilësoi “shpërfillës” qëndrimin ndaj të dhënave që, sipas tij, tregojnë se Shqipëria ndodhet 33 pikë përqindjeje poshtë pragut që lidhet me sistemet mediatike të kapura.
“Pa asnjë vlerë? Uau. Ky është një reagim çuditërisht shpërfillës ndaj të dhënave që duken njëkohësisht të besueshme dhe shumë të rëndësishme”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, analiza e bazuar në monitorimin e mbi 106 mijë artikujve në 47 media shqiptare përbën një burim objektiv dhe të paanshëm që meriton të merret në konsideratë.
“Ju paraqiten të dhëna të verifikuara mirë, të cilat tregojnë se Shqipëria është 33 pikë përqindjeje poshtë pragut që zakonisht lidhet me sistemet mediatike ‘të kapura’, dhe megjithatë ju besoni se kjo nuk ka fare rëndësi?”, shprehet ai.
Rama shton se qëllimi i tij nuk ka qenë të kundërshtojë RSF-në, por të ndajë informacione shtesë të bazuara në fakte dhe të nxisë një debat më të hapur mbi gjendjen e medias në vend.
“Shqipëria mbetet mjaft larg përmbushjes së përkufizimit të një mjedisi mediatik ‘të kapur’, pavarësisht sfidave shumë reale që ende ekzistojnë në përmirësimin e standardeve të medias dhe mbrojtjen e gazetarëve”, thekson kryeministri.
Ai i ka bërë thirrje organizatës ndërkombëtare që të mos shpërfillë evidencën empirike vetëm pse ajo çon në përfundime të ndryshme nga vlerësimet ekzistuese.
“Në fund të ditës, afrimi me të vërtetën ka më shumë rëndësi sesa kapja pas përfundimeve që mund të meritojnë rishqyrtim”, deklaron Rama.
Kryeministri shpreh gjithashtu gatishmërinë për një tryezë diskutimi me RSF dhe partnerët vendorë, duke propozuar një dialog të hapur mbi metodologjinë dhe gjetjet e analizës së inteligjencës artificiale.






