
Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve, të cilat do të hyjnë në fuqi këtë të mërkurë, më 28 maj, nga ora 14:00.
Sipas vendimit të bordit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 187 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë do të jetë maksimumi 175 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me jo më shumë se 174 lekë për litër në shitjen me pakicë dhe 162 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Çmimet do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregut të karburanteve për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të ketë pezullim të aktivitetit.
“Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë vendimin e bordit. Në rast të shkeljeve të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit”, thuhet në njoftim.
Në sqarimin zyrtar, Bordi thekson se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026, ndaj akciza për karburantet do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.
Sipas aktit normativ, ulja e akcizës në 80% aplikohet vetëm kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër ose benzina kalon 200 lekë për litër.






