Pesë persona janë gjetur gjallë në një shpellë të përmbytur në Laos, pasi kishin mbetur të bllokuar për një javë për shkak të reshjeve të dendura dhe rrëshqitjeve të dheut.

Operacioni dramatik i shpëtimit u zhvillua në provincën qendrore Xaysomboun, ku shtatë banorë kishin hyrë në shpellë javën e kaluar në kërkim të depozitave të arit dhe kafshëve të egra, por nuk mundën të dilnin pasi hyrja u bllokua nga uji dhe rrëshqitjet.

Ekipet e shpëtimit nga Laosi dhe Tajlanda konfirmuan se pesë prej tyre janë gjetur të gjallë, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur.

Pamjet e publikuara nga ekipet e shpëtimit tregojnë zhytësit duke kaluar në korridore shumë të ngushta dhe të mbushura pothuajse plotësisht me ujë e baltë.

“Gjetëm pesë persona të gjallë dhe të sigurt. Kërkimet për dy të tjerët vazhdojnë”, deklaroi grupi i shpëtimit “Rescue Volunteer for People”.

Një nga drejtuesit e operacionit, Bounkham Luanglath, tha se shpëtimi ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të kushteve brenda shpellës.

“Jam ende duke u dridhur. Ekipi ynë ia doli”, u shpreh ai.

Sipas shpëtuesve, sistemi i shpellës është shumë i thellë dhe tepër i ngushtë, me disa dhoma që arrijnë vetëm rreth 50 centimetra gjerësi.

Zhytësi finlandez Mikko Paasi, pjesë e operacionit, deklaroi se ekipet u përballën me ujëra të përmbytura, rrezik shembjesh dhe ajër të kontaminuar brenda asaj që ai e quajti një “minierë ari të braktisur”.

Shtatë banorët besohet se kishin mbetur rreth 300 metra larg daljes së shpellës.

Në operacion mori pjesë edhe shpëtimtari tajlandez Kengkach Bangkawong, i njohur për pjesëmarrjen në misionin e famshëm të vitit 2018 në Tajlandë, ku u shpëtuan 12 djem dhe trajneri i tyre nga një shpellë e përmbytur në Chiang Rai.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu