Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tragjedinë e rëndë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.

Në një postim në platformën X, Rama shprehet se lajmin e ka marrë sapo ka mbërritur në Erevan të Armenisë, ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Europian.

“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital”, shkruan kryeministri.

“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre! Ngushëllimet e mia më të sinqerta për prindërit dhe familjarët e dy engjëjve të vegjël. Uroj shërim për fëmijën që ndodhet i shtruar në spital”, shkruan Begaj.

Ai ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim dhe të zhvillojnë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

“Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë!”, thekson Presidenti në reagimin e tij.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, e ka cilësuar ngjarjen jo si një aksident rrugor, por si një akt të rëndë kriminal.

“Ngjarja tragjike në Durrës nuk është aksident rrugor. Autori nuk është një shofer në një timon, por një terrorist”, shkruan Balla në një reagim në rrjetet sociale.

Deputeti Erion Braçe ka reaguar pas ngjarjes së rëndë, duke kërkuar që raste të tilla të mos trajtohen më si aksidente, por si vrasje me dashje nga drejtësia.

Përmes një qëndrimi publik, Braçe thekson se vetëm përmes ndëshkimeve më të forta mund të parandalohet përsëritja e tragjedive të ngjashme në rrugë. Ai bën thirrje për ndryshime të menjëhershme në Kodin Rrugor dhe atë Penal, me qëllim rritjen e përgjegjësisë për shkelësit.

Deputeti nënvizon gjithashtu nevojën për masa konkrete në zonat e banuara, duke përfshirë kufizime reale të shpejtësisë dhe krijimin e hapësirave të sigurta për fëmijët.

Sipas tij, siguria rrugore duhet të jetë prioritet dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional për të shmangur humbje të tjera jete.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu