Prokuroria e Tiranës ka intensifikuar hetimet për helmimin e 56 studentëve në Akademinë e Policisë, duke i dërguar një tjetër shkresë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Sipas burimeve, organi i akuzës kërkon shpjegime të detajuara mbi procedurat administrative të ndjekura nga AKU, pasi fillimisht institucioni kishte bllokuar aktivitetin e kompanisë “Sori Al”, ndërsa më pas vendosi ta zhbllokonte.

Grupi hetimor ende nuk disponon të gjithë dokumentacionin zyrtar që AKU duhet të kishte deleguar pranë prokurorisë.

Më herët, AKU kishte deklaruar publikisht se helmimi i studentëve ishte shkaktuar nga “E coli”.

Ndërkohë, ish-drejtori i AKU Tiranë është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen dhe ka deklaruar se institucioni kishte ushtruar kontrolle të mëparshme ndaj subjektit privat.

Prokuroria e Tiranës nuk ka ende një version përfundimtar mbi shkakun e helmimit, ndërsa hetimet po drejtohen nga prokurori Bledar Valikaj.

Nga ana tjetër, hetuesit kanë sekuestruar 56 kartelat mjekësore të kandidatëve për policë që shfaqën probleme shëndetësore dhe u trajtuan në spital.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kartelat e pacientëve dhe librat e shërbimit në Spitalin Infektiv janë deleguar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) për verifikime të mëtejshme.

Ngjarja e helmimit masiv në Akademinë e Policisë vijon të mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë me saktësi burimin e kontaminimit dhe përgjegjësit eventualë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu