Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë nesër Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Me rastin e festës, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, përcolli një mesazh urimi për besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, dashurisë dhe kujdesit për njëri-tjetrin.

Sipas Spahiut, Kurban Bajrami është një festë që fton njerëzit të reflektojnë më shumë për familjen, të moshuarit, jetimët dhe çdo person në nevojë.

“Kurban Bajrami është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, e solidaritetit dhe e dashurisë për njeriun”, u shpreh ai.

Kreu i KMSH-së theksoi se shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog dhe bashkim mes njerëzve.

“Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri, më shumë drejtësi dhe më shumë shpresë”, deklaroi Spahiu.

Ai vlerësoi gjithashtu harmoninë ndërfetare në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga vlerat më të rëndësishme të vendit.

“Shqipëria është një vend që ka ruajtur harmoninë ndërfetare dhe respektin reciprok mes besimeve. Kjo është një vlerë e çmuar që duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë çdo ditë”, tha kreu i KMSH-së.

Falja e Kurban Bajramit do të zhvillohet mëngjesin e së mërkurës, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu