Policia e Lezhës ka zbardhur dinamikën e atentatit të rëndë të ndodhur në Balldre, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci, duke identifikuar tre autorët e dyshuar, aktualisht në kërkim.

Në një konferencë për mediat, drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi, bëri të ditur se ngjarja ndodhi më 26 prill rreth orës 14:50, në aksin rrugor Balldren–Torovicë, ku automjeti i viktimave u qëllua me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.

Sipas hetimeve, autorët kanë vepruar të organizuar, duke përdorur dy automjete. Një “Audi A4” ka ndjekur lëvizjet e viktimave, ndërsa një mjet tjetër tip “Volkswagen”, pa targa, i ka prerë rrugën dhe më pas është qëlluar me breshëri drejt automjetit ku ndodheshin çifti.

Si rezultat i hetimeve intensive dhe analizimit të provave, janë identifikuar si autorë të dyshuar shtetasit A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. Ata janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera.

Policia dyshon se motivi i krimit është hakmarrja, ndërsa operacioni për kapjen e autorëve vijon me angazhimin e forcave speciale RENEA dhe strukturave të tjera të sigurisë.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për gjetjen e armëve dhe automjeteve të përdorura në krim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu