
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në Dukagjin, ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u vranë me armë zjarri, ndërsa Lazër Bashi mbeti i plagosur në shpatull.
Sipas dëshmisë së tij, Bashi ndodhej në pjesën e pasme të automjetit me dy viktimat, kur persona ende të paidentifikuar hapën zjarr ndaj tyre. Ai dyshohet se ishte gjendur rastësisht në automjetin që u bë shënjestër e sulmit.
Autorët dyshohet se përdorën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, duke qëlluar më shumë se 50 herë. Gjatë breshërisë së plumbave, Bashi u shtri brenda automjetit dhe u plagos në shpatull.
Ai qëndroi i fshehur për disa minuta, deri sa u sigurua se autorët ishin larguar. Automjeti ndërkohë kishte humbur kontrollin dhe ishte përmbysur në njërën anë.
Pasi doli nga makina, Bashi mori telefonin celular dhe tentoi të kërkonte ndihmë. Por në zonën ku kishte ndodhur atentati nuk kishte sinjal telefonik.
I plagosur dhe duke humbur gjak, ai eci për rreth 40 minuta në terrenin e vështirë malor, duke përshkuar afro dy kilometra. Bashi arriti në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit dhe telefonoi një të afërm.
“Na thavi krahin”, mësohet se ishin fjalët e tij të para. Më pas tregoi se ishte sulmuar teksa ndodhej në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se babë e bir kishin mbetur të vrarë.
Bashi pastroi gjakun në një çezmë pranë lokalit dhe priti mbërritjen e ndihmës. Fillimisht u transportua në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa për shkak të humbjes së gjakut u dërgua më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas raportimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe Prokuroria e Shkodrës vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri tani janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje, por nuk është njoftuar identifikimi i ndonjë të dyshuari konkret.
Mes pistave që po verifikohen janë divorci i Lekë Gjonit, i ndodhur rreth tre muaj më parë, si dhe një konflikt i disa viteve më parë. Familjarët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për konflikte të kohëve të fundit.
Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin drejt Shkodrës nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin disa koshere bletësh. Ata u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.
Lekë Gjoni punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi dhe një eskavator në zonën e Dukagjinit. Sipas informacioneve paraprake, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte lirshëm në zonë.
Terreni malor, mungesa e sinjalit telefonik dhe e kamerave të sigurisë po e vështirësojnë punën e hetuesve. Policia dhe Prokuroria po mbledhin prova dhe po marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për atentatin.





