Për vrasjet anëtarëve të LDK’së pas luftës dikur në Kosovë flitej shumë, në përvjetore apo edhe gjatë fushatave elektorale kur përplaseshin të ashtuquajturit kundërshtarë politikë nga “krahu i paqes” dhe “ krahu i luftës” apo kur jepen premtime se ato do zbardhen.

Të gjithë shprehnin keqardhje, bindje dhe besimin që ato do të zbardheshin një ditë, qoftë nga gjykatat lokale madje qoftë në Gjykatën Speciale…deri në kohën që Dhomat e Specializuara të Kosovës u bënë realitet.

Në nëntor 2019 një veteran i UÇK’së, anëtar i shoqatës, Nasim Haradinaj teksa mblidhte firmat kundër Gjykatës deklaronte: “Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK’së…”

Kur është fjala te vrasjet që cilësohen të natyrës politike, paslufta kryesisht dominohet me eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të Presidentit Ibrahim Rugova, pjesëtarëve të LDK’së, apo edhe të FARK’ut një formacion rival i krahut tjetër UCK’së gjatë fundit të viteve 90’të.

Të gjitha këto atentate kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia.

Kishte filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë. Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë në ekzil u vra në një atentat në mes të kryeqytetit shqiptar. Meqë vrasja u krye jashtë Kosovës, ishin zgjeruar edhe kufijtë e dyshimeve. Madje edhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për vrasjen e kolonelit kosovar kishte akuzuar shërbimin sekret të Shqipërisë.

Më 11 janar 1999 vritet në Prishtinë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Vrasja e tij ishte kryer para banesës së tij dhe para fëmijëve të tij, në lagjen Kodra e Diellit. Drejtuesit të Qendrës Informative të Kosovës, që u vra gjatë luftës asnjëherë nuk i janë gjetur atentatorët.

Përfundimi i luftës nuk ishte fundi i vrasjeve të anëtarëve të partisë së Rugovës.

Familjarët e gjithë të të vrarëve, besojnë që ideologjia politike, ishte arsyeja që i mori të afërmit e tyre përmes atentateve të kryera, në shumicë, me sukses.

E të dyshuar, disa prej familjarëve kanë përmendur regjimin e Milloshevicit, por edhe kundërshtarët politikë shqiptarë.

Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa. Ne vendin e ngjarjes kishte pasur dëshmitarë që kishin thënë se atentatorët kishin ardhur nga shkallët e ndërtesës, para së cilës u vra ai. Megjithatë edhe vrasja e Mustafës hynë në ato që nuk u zbardhën asnjëherë.

Më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK në Klinë, derisa po kthehej nga puna. Për këtë vrasje kishte folur edhe Presidenti Rugova, i cili kishte thënë se vrasja e zyrtarit të tij ishte e lidhur me fitorën e LDK’së në vitin 2000.

Në një atentat në tetorin e 2001’ës, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati; truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci.

Më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj. Edhe kjo vrasje, sikur të tjerat, u krye në pritë, para banesës së Hajdarajt, në një errësirë të plotë dhe me ikjen e atentatorëve, që asnjëherë s’janë zbuluar. Vrasja e tij, ishte kryekëput për motive politike, siç kishin thënë familjarët e tij, përkatësisht djali i ish-deputetit, Shpëtim Hajdaraj.

Më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK në këtë komunë.

Më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.

Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Deputeti i LDK’së Haxhi Avdyli ishte shprehur i bindur se komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha- Drini është vrarë për arsye politike. Ai madje kishte thotë se vrasësit e “Drinit’ “janë në mesin tonë”.

Pas luftës pati edhe anëtarë të tjerë që i shpëtuan atentateve, madje edhe vetë Presidenti Rugova.

Por arrestimet e vitit 2020 ishin më të rënda se çdo skenar që mund të ishte imagjinuar në politikën kosovare, krerët e shtetit u “paketuan” për në Hagë dhe retorika e akuzave u duk sikur u fashit për shumë vite.

Kjo retorikë u rikthye ditët e fundit ku pavarësisht implikimeve që akuzat në Hagë kanë jo vetëm për PDK dhe UÇK, por për gjithë shqiptarët, LDK riktheu temën e vrasjeve të pasluftës në kuvendin e Kosovës kur kushtëzoi votimin e rezolutës në mbrojtje të ish-komandantëve të UÇK me një klauzolë që nuk u shtua: zbardhja e vrasjeve të para dhe pas luftës.

Por pavarësisht se këto eliminime mbeten të pazbardhura dekada pas luftës dhe një njollë e madhe në historinë e re të Kosovës, drejtësia që kërkon të servirë Haga nuk e vë në vend padrejtësinë.

Sepse së pari, vrasjet janë çështje e brendshme e Kosovës si të tilla gjykohen dhe drejtësia serviret nga gjykatat brenda Kosovës.

Së dyti, pretenca që kërkoi prokuroria në Hagë dhe i gjithë procesi në vetevete e tejkalon një gjykim penal për vrasje.

Së treti, juridikisht eliminimet politike nuk janë krime kunder njerëzimit as genocid e thellë-thellë as krime lufte.

Së katërti, atentatet sado të rënda, eliminimet e të ashtuquajturve bashkëpunorë të armikut siç argumenton prokuroria në dosjet kundër UÇK nuk mund të jenë kurrë njësoj me vrasjet e civilëve nga makineria serbe, të ideuara nga kupola më e lartë e pushtetit dhe me pasoja genocidiale.

Nuk mund të barazohen me përdhunimet, prerjet e kokave, vrasjet e foshnjave, jo!

Së pesti, atentatet apo vrasjet e “spiunëve” nuk mund të përfaqësojnë as simbolizojnë të gjithë lëvizjen për liri.

Së gjashti, ky proces i turpshëm nuk duhet të vihej në jetë për të mbuluar dështimet e njëpasnjëshme të prokurorëve të EULEX-it në Kosovë.

Dhe e fundit, procesi dhe parashtrimi i prokurorisë tregoi se gjykata që u ngrit në Hagë për shkak se gjoja në Kosovë do intimidoheshin dëshmitarët, ka kohë që e ka mbitejkaluar kompetencën e vet që në momentin që e ktheu ekzistencën e vet në një simbolikë të anti-luftës për liri, duke humbur çdo formë legjitimiteti të përfaqësimit të popullit të Kosovës apo të vënies së drejtësisë në emër të tij.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu