Me 85 vota pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pas një seance maratonë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kanë nxitur debat të fortë politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ndër ndryshimet më të diskutuara janë dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, ashpërsimi i dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvënien, si dhe parashikimi i dënimit deri në 1 vit burg për parkimin dysh në raste të caktuara.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, e cilësoi paketën ligjore si pjesë të procesit të integrimit europian dhe në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian. Sipas tij, dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët përbën një formë “diskriminimi pozitiv” në mbrojtje të lirisë së shprehjes, ndërsa theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm kur pengon qarkullimin e ambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.

Mazhoranca u shpreh kundër propozimit të Partisë Demokratike për dekriminalizimin e plotë të shpifjes për të gjithë qytetarët. Deputetja Jorida Tabaku kërkoi shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, duke argumentuar se shpifja dhe fyerja nuk duhet të jenë vepra penale, por mazhoranca e rrëzoi këtë propozim.

Nga ana tjetër, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj kërkesës së opozitës, duke deklaruar se nuk mund të votojë një ligj që, sipas tij, do të amnistonte kryetarin e PD-së, Sali Berisha, me të cilin është në proces gjyqësor për shpifje.

Debate të forta u zhvilluan edhe për parkimin dysh. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi Shqipërinë si “të vetmin vend në Europë që parashikon burg për parkimin dysh”, duke e konsideruar masën disproporcionale dhe të panevojshme. Ndërkohë, ministri Lamallari sqaroi se kjo dispozitë do të zbatohet vetëm në raste të rënda, kur pengohet shërbimi emergjent.

Në seancë pati edhe propozime të tjera, si kërkesa e deputetit Erion Braçe që molotovi të kategorizohet si armë zjarri, si dhe ashpërsimi i dënimeve për zjarrvënien, të cilat u argumentuan si të domosdoshme për mbrojtjen e mjedisit dhe rendit publik.

Ligjvënësit e opozitës akuzuan mazhorancën për miratim të përshpejtuar dhe pa transparencë të ndryshimeve, ndërsa mazhoranca u përgjigj se paketa ka marrë “bekimin e Brukselit” dhe është pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave me BE-në.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu