
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta dhe ironike ndaj deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili gjatë emisionit “Opinion” pretendoi se të paktën shtatë ministra udhëtojnë jashtë vendit për arsye private gjatë fundjavave, ndërsa në televizione transmetohen pamje sikur ata janë në punë.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama mohoi kategorikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk ekziston asnjë fakt apo regjistër zyrtar që i mbështet deklaratat e Fevziut. Sipas kryeministrit, edhe në rastet kur ministrat udhëtojnë jashtë vendit për arsye personale, kjo bëhet vetëm me kërkesë zyrtare dhe miratim.
“Jo vetëm që kjo ‘garanci’ nuk mbështetet në asnjë fakt, por është aq larg realitetit sa edhe vetë fakti që prej vitesh nuk ka më kaseta”, shkruan Rama, duke ironizuar terminologjinë e përdorur nga gazetari.

Kryeministri vijon reagimin duke ironizuar vetë udhëtimet e Fevziut në Amerikën Latine, duke përmendur konkretisht Ekuadorin, Bolivinë dhe Venezuelën, ku sipas Ramës, gazetari udhëtonte ndërsa emisioni “Opinion” transmetohej “live” në Shqipëri. Ai përmend madje edhe një episod në kufirin venezuelan, ku Fevziu, sipas tij, është ndaluar dhe kthyer mbrapsht nga autoritetet lokale.
“Ndërkohë që këtu ‘live’ në Opinion kërkonte llogari për rendin publik, atje ‘live’ policia venezuelane i kërkonte llogari pse donte të hynte në atë vend”, shkruan Rama me nota tallëse.
Megjithatë, kryeministri thekson se reagimi i tij është një “shaka e mbështetur në fakte reale” dhe se nuk synon të cenojë lirinë e Fevziut për të udhëtuar apo të drejtën e TV Klanit për të transmetuar emisionin edhe në mungesë të moderatorit.
Në fund të reagimit, Rama shprehet i gatshëm për një përballje publike mbi këtë temë, nëse gazetari dëshiron ta trajtojë seriozisht çështjen e udhëtimeve të ministrave, duke e cilësuar Fevziun si “opozitën e vetme që ka mbetur” në vend, pavarësisht, sipas tij, “lajthitjeve të herëpashershme live”.






