
Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në Tiranë, duke dëmtuar automjetin e avokatit të njohur Idajet Beqiri.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, pranë Gjykatës Civile, ku një automjet tip Mercedes-Benz ishte i parkuar përpara një pallati.
Makina rezulton e regjistruar në emër të bashkëshortes së avokatit, Nexhi Beqiri, e cila ushtron gjithashtu profesionin e avokates.
Sipas raportimeve, shpërthimi ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në pjesën e pasme të automjetit. Nuk ka persona të lënduar.
Në momentin e ngjarjes, Idajet Beqiri raportohet se ndodhej në Bruksel. Ai kishte planifikuar të kthehej në Tiranë mbrëmjen e së hënës, por fluturimi i ishte anuluar.
Policia e Tiranës konfirmoi se në automjet ishte vendosur një sasi lënde e dyshuar plasëse dhe se nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa pritet të analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Ende nuk dihet motivi i ngjarjes. Një nga pistat që mund të shqyrtohet është lidhja e mundshme e shpërthimit me aktivitetin profesional të avokatit, i cili është përfshirë në një sërë çështjesh gjyqësore dhe denoncimesh publike. Megjithatë, kjo pistë nuk është konfirmuar nga autoritetet.






