
Në mbylljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ishte në Cërrik, ku bëri thirrje të votohet kandidati Florenc Doka.
Duke folur në të njëjtin shesh ku 6 vjet më parë prezantoi si kryetar bashkie ministrin e sotëm të Bujqësisë, Balla tha se Andis Salla pas një pune intensive transformimi e bëri Cërrikun një model të qeverisjes vendore për gjithë Shqipërinë.
“Nuk ishte rastësi që kryeministri Rama zgjodhi Andisin që të vinte dhe të bënte shembullin e bashkisë Cërrik si një shembull për të gjitha bashkitë.
As sot nuk kemi gabuar, përkundrazi jam shumë krenar që një shokun tim socialist të vjetër e kemi si kandidatin tonë. Florenci do të qeverisë bashkinë jo vetëm në vitin që nisim, por do të jetë një kandidat i yni, pse jo edhe në 2027, me kushtin që të qeverisë po aq mirë sa Andisi,” deklaroi Balla në Cërrik.

Partia Socialiste dhe Edi Rama, sipas Ballës, votohen të dielën në Cërrik si e vetmja alternativë.
“Kur të shkosh te fleta e votimit, mendo Edi Ramën, Partinë Socialiste, Shqipërinë 2030 dhe shko te i treti, i vërteti. Dy të tjerët nuk bëjnë.
Janë kot. Nuk e di pse janë aty.
U kam thënë, u thosha kur ishim për zgjedhjet: Asnjë nga ata nuk bën. As Saliu nuk bën, as Llapi nuk bën, asnjë nuk bën,” u shpreh Taulant Balla në mbyllje të fushatës elektorale të kandidatit socialist për bashkinë Cërrik, Florenc Doka.







