Deputetja e Partisë Socialiste që vjen nga radhët e shoqërisë civile, Iris Luarasi, reagoi pas debatit të ashpër që shoqëroi miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore në Kuvend, duke theksuar se ky ligj nuk kërcënon familjen tradicionale dhe nuk shton “gjiní të reja”, por synon të zbatojë parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave.

“Ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua. Narrative që ‘po legalizohen 70 gjini në Shqipëri’ është një gënjeshtër e qëllimshme, e përsëritur aq shumë sa disa filluan ta besonin”, – tha Luarasi.

Deputetja theksoi se ligji është keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga ata që, sipas saj, “nuk e kanë lexuar fare projektligjin, por ndjekin narrativat e rrjeteve sociale”.


“Nuk ka ‘prind 1’ dhe ‘prind 2’ – është një gënjeshtër”

Luarasi mohoi kategorikisht pretendimet se ligji parashikon zëvendësimin e fjalëve “nënë” dhe “baba” me “prind 1” dhe “prind 2”.

“As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonim kurrë për një ligj që nuk do na jepte mundësinë që fëmijët të na thërrasin nënë e baba. Termat ‘prind 1’ dhe ‘prind 2’ janë një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale.”

Sipas saj, ligji nuk përdor termin “gjuhë gjithëpërfshirëse gjinore”, por “gjuhë me ndjeshmëri gjinore”, që ka të bëjë vetëm me korrektësi gramatikore, si përdorimi i formave “ministre”, “drejtore”, etj., kur gratë mbajnë funksione publike.


“Ligj europian, jo ideologjik”

Në vijim, deputetja kujtoi se vetë Konventa e Stambollit, e ratifikuar nga Kuvendi shqiptar me votat e shumicës së tanishme opozitare, përkufizon qartë termin “gjini” si rol social dhe kulturor, jo si shtim të gjinive të reja.

“Disa vende të BE-së që kanë kufizuar konceptin e gjinisë vetëm në dy sekse biologjike janë në shkelje të parimeve themelore të së drejtës evropiane. Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje ndaj tyre dhe ka paralajmëruar sanksione financiare”, – theksoi Luarasi.


“Të flasim për problemet reale”

Deputetja solli në vëmendje disa nga problemet që, sipas saj, ky ligj synon të adresojë:

  • Çdo ditë në Shqipëri 7 gra raportojnë dhunë në familje;
  • Vetëm në gjashtë muajt e parë të 2025-ës janë regjistruar 1,260 denoncime për dhunë;
  • Gratë paguhet 4.5%–17.4% më pak se burrat për të njëjtën punë;
  • 31% e grave nuk kërkojnë punë për shkak të detyrave shtëpiake, krahasuar me vetëm 2% të burrave.

“Kjo është ‘familja tradicionale’ që disa duan ta mbrojnë – ku gruaja mbetet në shtëpi, e pa paguar dhe e pa mundësi. Shoqëria ecën përpara kur burrë e grua janë partnerë, e trajtohen me dinjitet dhe paguhen njësoj për të njëjtën punë.”


“Shqipëria që po ndërtojmë është ajo e barazisë dhe dinjitetit”

Në përfundim, Iris Luarasi deklaroi se ligji për Barazinë Gjinore nuk imponon ideologji të huaja, por zbaton vlera universale të të drejtave të njeriut që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar.

“Ky ligj nuk kërcënon familjen, por e përforcon atë duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e saj. Ai nuk krijon privilegje, por korrigjon padrejtësi historike.
Dhe të gjithë ata që shpërndajnë dezinformim dhe nxisin urrejtje, le ta dinë: historia nuk do t’i mbajë mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit”, – përfundoi ajo.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu