Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka reaguar sot  ndaj akuzave të opozitës për projektligjin “Për barazinë gjinore”, duke sqaruar se ky është një akt ligjor me bazë europiane dhe jo një ligj me prirje ideologjike.

“Ky nuk është një ligj ideologjik; është një akt ligjor dhe europian,” – u shpreh ministri Gogu, duke theksuar se projektligji përafron direktivat e Bashkimit Europian dhe Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së. Sipas tij, institucionet europiane kërkojnë një kuadër më efektiv për matjen e barazisë gjinore, ndërsa nisma e qeverisë synon ta bëjë këtë në mënyrë të matshme dhe konkrete.

“Ligji nuk shpik gjini të reja”

Ministri sqaroi se projektligji nuk krijon “realitete të reja gjinore”, pasi në tekst flitet qartë për burra dhe gra, ndërsa termat “orientim seksual” dhe “identitet gjinor” janë pjesë e legjislacionit shqiptar që prej vitit 2010. Ai shtoi se qëllimi është forcimi i zbatimit të barazisë në punësim, arsim dhe shërbime publike.

“Familja mbetet e paprekur”

Gogu theksoi se ligji nuk prek Kodin e Familjes, as gjendjen civile dhe nuk ndryshon konceptin e martesës. “Nuk futet asnjë program ideologjik në arsim. Bëhet fjalë për rregulla zbatimi: paga të barabarta për punë të njëjtë, shanse të barabarta dhe dinjitet në trajtim,” – u shpreh ai.

Argument biblik: “Të gjithë jemi një në Shpëtimtarin”

Duke iu përgjigjur kritikave se ligji bie ndesh me fenë, ministri Gogu citoi pasazhe nga Bibla, duke nënvizuar se barazia gjinore është në përputhje me mësimet biblike.
“Shkrimi i Shenjtë thotë: ‘Nuk ka më mashkull as femër; të gjithë jeni një në Shpëtimtarin’ (Gal 3:28). Barazia që mbron ky ligj është në një vijë me këtë urtësi biblike: plotësim pa shtypje,” – tha ai.

“Të fshehësh pas parullave ‘familje’ e ‘besim’ është hipokrizi”

Në vijim, ministri Gogu kritikoi retorikën e opozitës, duke e cilësuar si përpjekje për të kthyer një reformë ligjore në “luftë kulturash”.
“Kur dikush përpiqet të kthejë një reformë ligjore në duel flamujsh, nuk mbron parime, por fsheh llogaridhënien,” – deklaroi Gogu. Ai shtoi se “të fshehësh pas parullave ‘familje’ e ‘besim’ ndërkohë që sulmon një ligj që mbron dinjitetin është të shkelësh mbi Shkrimin, jo ta nderosh”.

Në përfundim, Gogu theksoi se projektligji synon të garantojë barazi reale dhe dinjitet për çdo qytetar, në përputhje me standardet europiane dhe me frymën e respektit njerëzor që mëson vetë Shkrimi i Shenjtë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu