Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, mbajti sot fjalën në Kuvendin e Shqipërisë mbi kërkesën e opozitës për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Kaso paralajmëroi se Kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion pa autoritet dhe pa dinjitet, duke akuzuar Peleshin për një sërë shkeljesh që nga fillimi i legjislaturës:

“Kuvendi po rrezikon të kthehet në një institucion pa autoritet dhe pa dinjitet. Kjo vjen si rezultat i mënyrës se si po drejtohet ky institucion nga kryetari Niko Peleshi.”

Sipas tij, 36 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kanë depozituar pranë Këshillit për Legjislacionin kërkesën për shkarkimin e Peleshit, duke argumentuar se ai ka kryer:

  • Shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit gjatë seancave plenare të datave 16 dhe 18 shtator.
  • Tejkaluar kompetencat e tij dhe penguar debatin parlamentar.
  • Vepruar në kundërshtim me nenin 75 të Kushtetutës dhe nenin 114 të Rregullores së Kuvendit, duke mos respektuar procedurat ligjore gjatë thirrjes dhe zhvillimit të seancave.

Kaso theksoi se qëllimi i Peleshit nuk ka qenë vetëm mbyllja e zërit të opozitës, por gjithashtu cënimi i detyrës dhe autoritetit të Kuvendit, që buron nga sovrani:

“Zoti Peleshi ka dokumentuar një sërë shkeljesh të rënda. Ai nuk ka patur vetëm qëllimin për mbylljen e zërit të opozitës, por ka cënuar detyrën dhe autoritetin e Kuvendit që figuron nga autoriteti i sovranit.”

Deputeti demokrat nënvizoi se nisma për shkarkimin nuk është për ndëshkimin e një individi, por për të rikthyer standardet europiane dhe përpjekjen e përbashkët për të ndaluar rrëshkitjen e institucionit:

“Kjo nismë për shkarkim është thirrje për përpjekje të përbashkët për të ndaluar rrëshkitjen e këtij Kuvendi. Nuk kërkojmë ndëshkimin e një personi të vetëm, por rikthim të standardeve europiane.”

Seanca për shkarkimin e Peleshit pritet të zhvillohet sot në orën 10:00, dhe gjatë ditës Kuvendi do të vazhdojë me raportime nga disa institucione të pavarura.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu