Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend, ka akuzuar opozitën se po përdor mocionet me debat për të penguar jetën normale parlamentare dhe për të krijuar artificialisht krizë politike. Ai tha se shumica nuk mund të pranojë kërkesa që bien ndesh me rregulloren, ndërsa i ftoi deputetët e opozitës të tregohen të sinqertë dhe të sjellin kërkesa të rregullta që mund të shqyrtohen institucionalisht.

“Mos u vetë-persekutoni. Keni 35 ditë që nga dita e parë keni nisur një strategji vetë-persekutimi, sikur ne nuk ju miratojmë asnjë kërkesë. Po sillni kërkesa që janë të pamundura për t’u pranuar,” tha Balla, duke sqaruar se Kuvendi do të miratojë një nënkomision të përhershëm për bujqësinë, si një formë bashkëpunimi konkret me opozitën.

Në vijim të fjalës së tij, Balla ndaloi te debati për UÇK-në dhe çështjet në Hagë, duke i bërë thirrje gjithë spektrit politik që të lërë mënjanë ndarjet partiake dhe të bashkohet në protestën mbarëkombëtare në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së.

“Vëreni Shqipërinë mbi partinë; dilni nga urdhri dhe hajdeni nesër në protestën mbarëkombëtare. Nuk jemi ne organizatorë, janë veteranët e UÇK-së. Është në nderin e secilit prej nesh të jemi nesër përkrah tyre,” deklaroi Balla.

Ai theksoi se përpjekjet për ta bërë “pis idealin e UÇK-së” janë të papranueshme dhe se historia do të gjykojë të gjithë ata që nuk e mbrojnë luftën çlirimtare të Kosovës.

“Makineria serbe, me ndihmën e ndonjë bashkëpunëtori, po përpiqet të njollosë luftën e drejtë për liri. Por ne duhet të jemi të bashkuar për ta mbrojtur pastërtinë e saj dhe për të ruajtur aleancën tonë me SHBA dhe Bashkimin Evropian. Pa këtë aleancë, nuk do të kishim një Kosovë të lirë,” u shpreh Balla.

Në fund të fjalës së tij, kreu i grupit të PS-së nënvizoi se kjo nuk është një çështje partie, por e kombit: “Lëreni partinë, po hajde të bashkohemi për Shqipërinë. Të bashkohemi për atdheun tonë. Rroftë Kosova dhe Shqipëria – dhe ju presin nesër në protestë.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu