
Arlind Qori është kandidati zyrtar i Lëvizjes BASHKË në garën për Bashkinë e Tiranës. Kjo forcë politike që arriti të grumbullojë mijëra vota në gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e 11 Majit, por njihet veçanërisht për fuqinë në Tiranë, ka vendosur të dalë në zgjedhje me kryetarin e saj.
“Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës. Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë”, thotë reagimi.
Ndryshe nga çfarë ishte deklaruar se Redi Muçi, deputeti i vetëm i kësaj force politike, do të jepte dorëheqjen nga mandati parlamentar dhe do të përfshihej në garën për Tiranën, e kundërta ka ndodhur.
Drejtuesi Arlind Qori do të jetë ai që do të synojë vendin e lënë bosh nga shkarkimi i Erion Veliaj. Përballë do të ketë Ogerta Manastirliun nga PS dhe një kandidat (të përbashkët) nga opozita.
“Propozimi i Lëvizjes BASHKË për mbarë qytetarët e Tiranës në zgjedhjet e 9 nëntorit është emri i kryetarit të saj, Arlind Qori, zëri dhe njeriu, arsimtari dhe aktivisti që për mbi një dekadë ka folur çdo ditë mbi qytetin dhe njerëzit e tij, parqet dhe shkollat, ujin dhe ajrin, të drejtën e strehimit dhe transportin publik, korrupsionin dhe keqqeverisjen etj.
Për ne, zgjedhjet në Tiranë nuk janë thjesht një mundësi për ta shndërruar qytetin sipas nevojave dhe aspiratave të qytetarëve, por edhe një betejë idesh dhe shembujsh që do të rezonojnë në të gjithë Shqipërinë”, përmbyllet reagimi i Lëvizjes BASHKË.