Merret në pyetje Arbër Veliaj, vëllai i kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.

Ai është thirrur me urdhër të prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado.

Kjo është hera e parë që ai thirret në SPAK, ndërsa më herët ka kundërshtuar bashkë me kunatën e tij, Ajola Xoxa vendimin e 6 dhjetorit për kontrollet e sekuestrimet që kjo prokurori kishte kërkuar.

Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e kontrolleve, ndërsa e Larta e ktheu mbrapsht për rigjykim në shkallë të dytë.

Arbër Veliaj përmendet në dosjen e vëllait, për verifikimin pasuror të familjes së tij. SPAK në këtë kuadër vuri në sitë 31 llogaritë bankare të tij.

Po ashtu Arbër Veliaj ishte personi me të cilin Erion Veliaj komunikoi nga furgoni i policisë me aparatin celular të punonjësit të burgut, ç’ka i kushtoi kryetarit të bashkisë një akuzë shtesë, duke e çuar numrin e veprave penale për të cilat ai dyshohet, në katër.

Erion Veliaj dyshohet se ka kryer korrupsion 9 herë, pastrim parash, fshehje e mosdeklarim pasurie, e në fund edhe futja e sendeve të paligjshme në qelinë e paraburgimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzohet se i ka kryet këto krime në bashkëpunim me gruan e tij dhe disa biznesmenë.

SPAK ia komunikoi këto akuza Veliajt dhe të bashkëpandehurve një muaj më parë, ndërsa në 29 shtator pritet që dosja 60 mijë faqe t’i dorëzohet Gjykatës Antikorrupsion./vizionplus.tv

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu