
TIRANË – Ish-zv.kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar me tone të forta ndaj çmimeve të larta të frutave dhe perimeve në tregjet shqiptare, duke i cilësuar si një abuzim i pastër në kurriz të qytetarëve dhe fermerëve. Përmes një postimi në rrjete sociale, Braçe e përshkruan si “të tmerrshme” situatën në tregje, sidomos në ditët e para të javës.
“Të hënën të blesh është tmerr, mbase edhe çdo ditë tjetër!”, shprehet ai, duke dhënë shembuj konkretë të çmimeve aktuale: domatet 110-130 lekë/kg, kastravecat 100-110 lekë/kg, bizelet 300 lekë/kg, mashurkat 250-270 lekë/kg, specat 150 lekë/kg, qershitë 650-1000 lekë/kg dhe nektarinat 280-300 lekë/kg. Edhe shalqiri, që sipas tij shitet në Divjakë me 23 lekë/kg, del në tregjet e kryeqytetit me afro trefishin e çmimit – 60 lekë/kg.
TRE ARSYE KRYESORE PËR ÇMIMET E LARTA
Braçe rendit tre faktorë që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen abuzive të çmimeve:
1. Abuzimi me çmimet dhe tregjet:
Ai kërkon shpërbërjen e tregut të autostradës, ku thotë se tarifat e larta për shitësit rrisin në mënyrë të pajustifikuar çmimin final. Propozimi i tij përfshin edhe hapjen e tregjeve publike vetëm për bujqit, duke eliminuar ndërmjetësit abuzues dhe vendosjen e fiskalizimit nga fermeri te konsumatori.
2. Struktura e prodhimit bujqësor:
Sipas Braçes, prodhimi po përqendrohet në sera joefikase për temperaturat e larta dhe të ulëta, duke ulur sasinë dhe cilësinë e prodhimit. Ai bën thirrje për rikthim në fushat e hapura, në zonat ku kushtet klimatike janë më të përshtatshme për bujqësinë.
3. Ndryshimet klimatike:
Ngjarjet ekstreme të motit, që sipas tij po bëhen të zakonshme, po ndikojnë negativisht në prodhimin bujqësor dhe po dekurajojnë fermerët. “Ne nuk po merremi seriozisht me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike!”, thekson ai.
“Ministri i Financave të kuptojë se zgjedhjet mbaruan!”
Në fund të deklaratës së tij, Erion Braçe nuk lë pa goditur edhe Ministrinë e Financave, duke e akuzuar për kokëfortësi dhe mosreagim ndaj situatës. Ai bën thirrje për barazim të TVSH-së në sektorin bujqësor dhe kontroll të qirave për ambientet tregtare, që sipas tij janë kthyer në një tjetër burim abuzimi.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur çmimet e produkteve ushqimore vijojnë të mbeten të larta, pavarësisht sezonit, duke shkaktuar pakënaqësi në rritje te qytetarët dhe vetë prodhuesit bujqësorë.