
Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë po i afrohet nivelit rekord prej 8 miliardë eurosh, por kjo nuk dëshmon një ekonomi të shëndetshme.
Sipas saj, blerjet e mëdha të euros nga Banka e Shqipërisë nuk e kanë frenuar zhvlerësimin e monedhës europiane. Tabaku pretendon se forcimi i lekut nuk mbështetet te ekonomia reale, por lidhet me flukset informale dhe pastrimin e parave.
Ajo thekson se ekonomia u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa industria dhe energjia ranë me 2.2% dhe bujqësia u tkurr me 0.5%. Sipas deputetes, rritja mbështetet kryesisht te administrata publike, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.
Tabaku paralajmëron se euroja e dobët po dëmton eksportuesit, fasonerinë dhe industrinë prodhuese, ndërsa familjet nuk po përfitojnë nga ulja e çmimeve. Ajo e cilësoi paradoks faktin që rezerva valutore arrin rekord, ndërsa familjeve u mungojnë kursimet në fund të muajit.






