Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës të përcaktohet përmes një procesi votimi dhe jo me një vendim të paracaktuar.

Duke komentuar diskutimet për kandidaturën socialiste në kryeqytet, Braçe deklaroi se ekzistenca e disa alternativave është pozitive, pasi mund të sjellë energjizimin e strukturave të partisë.

Deputeti konfirmoi se e konsideron edhe veten si një prej alternativave të mundshme. Ai tha se nuk ka pritur një miratim nga drejtuesit e partisë për të nisur punën dhe për të paraqitur idetë e tij për Tiranën.

“Një prej tyre jam dhe unë dhe nuk kam pritur të më thotë dikush që të filloj të punoj. Po mundohem të kuptoj qytetin, të them çfarë mendoj për të dhe të bëj çmos që ky qytet të jetë maksimalisht i jetueshëm, i pastër, i gjelbër dhe me shërbime”, u shpreh Braçe.

Sipas tij, Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie që të jetë vazhdimisht në krye të punëve dhe pranë problematikave të qytetit.

Braçe kundërshtoi idenë që socialistët dhe qytetarët e Tiranës të vendosen përpara një kandidature të shpallur pa garë të brendshme.

“Unë nuk preferoj të jem njoftim. Nuk mendoj se socialistët do të votojnë një njoftim si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Nuk mendoj se qytetarët e Tiranës duhet të votojnë një njoftim”, deklaroi ai.

Deputeti socialist kërkoi zhvillimin e një procesi demokratik, në të cilin çdo kandidat t’i nënshtrohet votimit. Sipas tij, vetëm përmes një gare të tillë PS-ja mund të përzgjedhë kandidatin e duhur për drejtimin e kryeqytetit.

Deklarata e Braçes vjen në një kohë kur brenda Partisë Socialiste vijojnë diskutimet për kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, ndërsa kryeministri Edi Rama ka shprehur publikisht mbështetjen për Ogerta Manastirliun.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu