Është identifikuar piloti që po cilësohet si “hero” pas incidentit dramatik në fluturimin e Flydubai nga Dubai drejt Tel Avivit. Ai është Smit Machchhar, shtetas indian, i cili sipas autoriteteve izraelite u sulmua me thikë nga bashkëpiloti por arriti të rezistonte dhe të ndihmonte në shmangien e një katastrofe ajrore.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri publik emrin e kapitenit duke deklaruar se Machchhar tregoi “guxim të jashtëzakonshëm” gjatë përleshjes në kabinë.

Ngjarja ndodhi në fluturimin FZ1073 rreth dy orë e gjysmë pas nisjes nga Dubai. Gjatë incidentit avioni humbi rreth 17 mijë këmbë ose 5.200 metra lartësi në më pak se dy minuta.

Dëshmitë e reja të pasagjerëve tregojnë për momente paniku në bord. Një prej tyre e përshkroi rënien e avionit si një “rollercoaster” ndërsa të tjerë treguan se disa pasagjerë dhe pjesëtarë të ekuipazhit u futën në kabinë dhe neutralizuan agresorin.

Tre ose katër pasagjerë që ndërhynë pësuan lëndime të lehta. Dy pilotë të tjerë që ndodheshin në pjesën e pasme të avionit raportohet se morën kontrollin dhe realizuan uljen emergjente në Tabuk të Arabisë Saudite.

Machchhar po merr trajtim mjekësor në Tabuk. Piloti i dyshuar për sulmin është arrestuar dhe po merret në pyetje nga autoritetet saudite.

Pasagjerët ndërkohë kanë mbërritur në Izrael me një fluturim tjetër. Netanyahu takoi disa prej tyre në aeroportin Ben Gurion, mes tyre edhe një burrë që mbante ende një bluzë me njolla gjaku dhe që tregoi se kishte ndihmuar në neutralizimin e agresorit.

Edhe presidenti amerikan Donald Trump reagoi pas një bisede me Netanyahun duke vlerësuar pilotin e sulmuar si “hero”.

Një tjetër zhvillim pas incidentit është vendimi i Flydubai për të pezulluar të gjitha fluturimet mes Dubait dhe Izraelit gjatë kohës që vijojnë hetimet. Kompania kryente deri në 10 fluturime në ditë në këtë linjë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu