
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas debatit me aktivisten Arvina Lleshi gjatë një takimi me banorët pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi, duke mohuar se ndaj aktivistes ka pasur fyerje apo përplasje fizike. Sipas tij, Lleshi është ftuar prej tij që t’i bashkohej takimit dhe për një pjesë të kohës ka qëndruar duke dëgjuar diskutimet me banorët.
Braçe thotë se gjatë takimit ka marrë 42-43 ankesa dhe shqetësime nga 38 banorë, të cilat do t’u përcillen institucioneve përkatëse për përgjigje dhe zgjidhje.
Sipas versionit të deputetit socialist, situata ka ndryshuar rreth orës 18:00, kur Lleshi ka nisur të debatonte me të pranishmit. Braçe pretendon se aktivistja ka sharë, fyer dhe mallkuar disa prej banorëve, ndërsa mohon që të pranishmit ta kenë fyer apo dhunuar atë.
“Askush nuk është zënë, askush nuk e ka fyer e ofenduar”, shkruan Braçe, i cili ka publikuar edhe pamje nga kamerat e takimit, duke pretenduar se ato tregojnë dinamikën e plotë të ngjarjes.
Reagimi vjen pas debatit të një dite më parë mes deputetit socialist dhe Arvina Lleshit gjatë takimit me banorët e zonës.






