Kushtet e këqija atmosferike që kanë goditur Nju Jorkun dhe verilindjen e Shteteve të Bashkuara mund të ndikojnë edhe në kthimin e kryeministrit Edi Rama në Shqipëri.

Rama ndodhet prej disa ditësh në SHBA, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe zhvilloi një sërë takimesh gjatë qëndrimit në Nju Jork.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Rama zhvilloi edhe një takim me shqiptarët e diasporës. Në bashkëbisedimin me ta, kryeministri foli për zhvillimin ekonomik të vendit dhe investimet, duke u ndalur edhe te projektet në Sazan dhe Zvërnec. Rama deklaroi se Shqipëria nuk është më një vend që ka nevojë për ndihma, ndërsa i cilësoi projektet e parashikuara në Sazan dhe Zvërnec si investime të jashtëzakonshme.

Nisja e tij nga aeroporti JFK ende nuk është konfirmuar për shkak të motit të keq. Stuhia që ka përfshirë verilindjen e SHBA-së ka shkaktuar anulimin e qindra fluturimeve dhe probleme në disa prej aeroporteve kryesore të zonës.

Për këtë arsye, mbetet ende për t’u përcaktuar edhe ora e mbërritjes së kryeministrit në Shqipëri.

Pas kthimit, Rama pritet t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Orari i saktë i adresimit pritet të njoftohet paraditen e së dielës.

Rama ishte në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku mbajti edhe fjalimin e Shqipërisë në sesionin e këtij viti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu