
VLORË – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ku një 35-vjeçar dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri në apartamentin ku banonte.
Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 04:10, shtetasi A. M., 35 vjeç, është vetëplagosur me një armë zjarri tip pistoletë Glock. Menjëherë pas ngjarjes, ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin rajonal të Vlorës dhe më pas është transportuar për ndihmë të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, për shkak të plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes, forcat e rendit kanë sekuestruar armën e zjarrit si provë materiale, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Ende nuk dihen motivet që çuan në vetëplagosjen e 35-vjeçarit, ndërsa autoritetet pritet të marrin në pyetje personat e afërt me të për të hedhur më shumë dritë mbi rastin.