Flamingot janë kthyer në protagonistë këtë verë, por këtë herë jo si dekore apo figura pop. Shpendët me këmbët e gjata, sqepin karakteristik të lakuar dhe pendët që variojnë nga rozë e zbehtë deri në të kuqe, janë bërë edhe simbol i protestës kundër ndërtimit në Shqipëri të një resorti luksoz të familjes Trump shkruan La Repubblica.

Projekti ka ngritur shqetësime për lagunën e Vjosë-Nartës, një zonë ligatinore me biodiversitet të pasur. Këtu jetojnë qindra specie, kryesisht shpendë migratorë, mes të cilëve flamingoja e madhe (Phoenicopterus roseus), e vetmja nga gjashtë speciet e flamingove që gjendet natyrshëm në Europë.

Gjatë migrimeve të vjeshtës dhe dimrit, mijëra flamingo kalojnë në këtë zonë, duke krijuar një spektakël të jashtëzakonshëm rozë.

Flamingot janë të lidhur ngushtë me ligatinat dhe pikërisht popullariteti i tyre i ka kthyer edhe në simbol të fushatave ndërkombëtare për mbrojtjen e këtyre ekosistemeve. Gjatë 50 viteve të fundit, ligatinat kanë humbur rreth 22% të sipërfaqes së tyre në nivel global. Mbi 411 milionë hektarë liqene, këneta, delta, laguna, estuare dhe zona të tjera të ngjashme janë zhdukur për shkak të ndryshimeve klimatike, bonifikimeve, ndotjes dhe ndërtimeve të digave e kanaleve.

Edhe pse zënë vetëm rreth 6% të sipërfaqes tokësore, ligatinat mbështesin të paktën 100 mijë specie. Për flamingot, ujërat e cekëta ofrojnë ushqim, mbrojtje nga grabitqarët dhe materialin e nevojshëm për ndërtimin e foleve të tyre prej balte.

Flamingoja e madhe nuk konsiderohet aktualisht specie në rrezik. Popullsia e saj e pjekur vlerësohet në 550 mijë deri në 680 mijë individë në botë, ndërsa në Europë në rreth 89.900 deri në 125 mijë.

Por një nga sekretet më interesante të mbijetesës së flamingove është grupi.

Flamingoja është një kafshë sociale dhe madhësia e kolonisë ndikon drejtpërdrejt edhe në riprodhim. Vëzhgimet në robëri kanë treguar se kur një koloni bie nën rreth 20 individë, aftësia riprodhuese zvogëlohet ndjeshëm. Në disa kopshte zoologjike janë përdorur madje pasqyra për t’u krijuar flamingove përshtypjen se grupi është më i madh, duke nxitur kështu riprodhimin.

Edhe ritualet e çiftëzimit zhvillohen në grup. Meshkujt dhe femrat kryejnë lëvizje të sinkronizuara përpara se të formohen çiftet.

Por edhe ngjyra e famshme rozë duket se ka një rol shumë më të rëndësishëm sesa thjesht bukuria.

Flamingot e marrin ngjyrën nga pigmentet karotenoide që përthithin përmes ushqimit. Sipas biologëve, evolucioni mund ta ketë favorizuar këtë ngjyrë edhe sepse ajo dallohet nga larg. Në këtë mënyrë, individët e shpërndarë mund të gjejnë më lehtë njëri-tjetrin.

Rozë, pra, mund të jetë një lloj sinjali social: “Ne jemi këtu”.

Një mënyrë për të krijuar dhe mbajtur bashkë grupin, nga i cili varet edhe mbijetesa e flamingove.

Sot këta shpendë përballen me një sfidë të re: humbjen e ligatinave ku ushqehen dhe riprodhohen. Dhe në Shqipëri, pikërisht flamingoja është kthyer në simbol të debatit për mbrojtjen e Vjosë-Nartës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu