
Një konflikt i rëndë ka përfunduar me një të vdekur dhe dy të plagosur mëngjesin e kësaj të marte në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Sipas informacionit paraprak të Policisë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V., 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri ndaj Q. L., 63 vjeç, dhe djalit të tij Y. L., 24 vjeç.
Nga ana tjetër, babë e bir dyshohet se gjatë konfliktit kanë plagosur me thikë 25-vjeçarin A. V.
Si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, 24-vjeçari Y. L. ka ndërruar jetë në spital.
Policia ka kapur dhe shoqëruar A. V., ndërsa në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.






