Trafiku i paligjshëm i kafshëve të egra mes Bririt të Afrikës dhe vendeve të Gjirit Persik po kërcënon seriozisht gepardët, një specie që tashmë përballet me rrezikun e zhdukjes.

Një reportazh i publikuar nga revista italiane “Internazionale”, duke iu referuar “Le Monde”, sjell historinë e gepardëve të shpëtuar nga trafikantët në Somaliland.

Në shtator të vitit 2025, roja bregdetare e Somalilandit zbuloi 11 këlyshë gepardësh të fshehur në hambarin e një anijeje tradicionale “dhow”. Kafshët, vetëm pak ditëshe, ishin futur në thasë patatesh për t’u transportuar në mënyrë të paligjshme përmes detit.

Operacioni u shpëtoi jetën, por jo të gjithëve. Tre nga 11 këlyshët ngordhën më pas, ndërsa tetë të mbijetuarit u vendosën në një strehë të posaçme.

Ata janë pagëzuar me emra hyjnish të lidhura me ujin, mes tyre Nettuno, Enki dhe Anuket, si kujtim i operacionit që i shpëtoi nga deti.

Rasti është pjesë e një fenomeni shumë më të gjerë. Sipas reportazhit, kontrabanda e kafshëve të egra nga Briri i Afrikës drejt monarkive të Gjirit Persik po ushtron presion të mëtejshëm mbi popullatat e gepardëve.

Kafshët e rralla përfundojnë në tregun ilegal, ku ekziston kërkesë për mbajtjen e felinëve ekzotikë si kafshë private dhe simbole statusi.

Një fotografi e reportazhit dokumenton edhe pesë gepardë të transportuar drejt një gjykate në Hargeisa në nëntor 2020, gjatë procesit ndaj një trafikanti të njohur kafshësh.

Historia e tetë gepardëve të mbijetuar tregon vetëm një pjesë të rrugës së rrezikshme të këtij trafiku: nga kapja në natyrë, te transportimi në kushte ekstreme dhe deri te tregu i kafshëve ekzotike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu