Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje sërish Kosovës që t’i bashkohet projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG), duke theksuar se diversifikimi i burimeve energjetike është jetik për sigurinë energjetike të vendit.

Në një përgjigje për mediat, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë deklaroi se Uashingtoni mbështet nismat që synojnë zgjerimin e burimeve të energjisë në Kosovë, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë amerikane për gazifikimin e qymyrit, energjinë e rinovueshme dhe lidhjen me tubacionin rajonal të gazit natyror të lëngshëm.

“Një gjë është e qartë: Kosova aktualisht nuk prodhon energji të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën e brendshme”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.

Sipas SHBA-së, Kosova do të ketë nevojë për të gjitha alternativat energjetike në dispozicion për të përballuar rritjen e pritshme të konsumit, për të rritur sigurinë energjetike dhe për të ulur varësinë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike.

“Diversifikimi nuk ka të bëjë me zgjedhjen e një burimi mbi një tjetër, por me garantimin që Kosova të ketë mundësi të shumta dhe të besueshme për të përmbushur kërkesën në rritje në të ardhmen”, theksoi Ambasada e SHBA-së.

Deklarata vjen pak ditë pasi e ngarkuara me punë e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, u shpreh publikisht në favor të përfshirjes së Kosovës në projektin rajonal të LNG-së, duke e konsideruar atë një mundësi strategjike për forcimin e pavarësisë energjetike të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu