
Koalicioni VLEN ka publikuar një dokument zyrtar për të cilin pretendon se dëshmon se gjuha serbe është zyrtarizuar në Komunën e Kumanovës më 4 maj 2010, në periudhën kur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ishte pjesë e pushtetit lokal dhe qendror.
Në një konferencë për media, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, deklaroi se vendimi është miratuar nga Këshilli Komunal i Kumanovës dhe parashikon përdorimin e gjuhës serbe dhe asaj rome në punën e këshillit komunal.
Sipas dokumentit të publikuar, vendimi është marrë më 4 maj 2010 dhe përcakton se gjuha serbe dhe ajo rome mund të përdoren në punën e Këshillit të Komunës së Kumanovës, në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë përdorimin e gjuhëve të komuniteteve etnike.
VLEN pretendon se ky dokument rrëzon akuzat e fundit të BDI-së për çështjet gjuhësore dhe e akuzon partinë për hipokrizi politike.
“Partia që sot kritikon vendime të caktuara për përdorimin e gjuhëve, ka mbështetur vetë zyrtarizimin e gjuhës serbe në Kumanovë”, deklaruan përfaqësuesit e VLEN-it.
Sipas të dhënave të referuara nga koalicioni, komuniteti serb përbën rreth 6.5% të popullsisë së Kumanovës, ndërsa vendimi i vitit 2010 mundësoi përdorimin zyrtar të gjuhës serbe në institucionin lokal.
Debati mes VLEN-it dhe BDI-së për çështjet e përdorimit të gjuhëve është intensifikuar ditët e fundit, duke u kthyer në një nga temat kryesore të përplasjes politike në Maqedonia e Veriut.






