Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti turistik në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Në takimin me gazetarët e huaj, Rama tha se kundërshtimet nuk do ta ndryshojnë kursin e qeverisë për projektin që lidhet me investimin e kompanive të Jared Kushner.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta bëjmë atë dhe do të jemi krenarë që do të kontribuojmë në Evropë”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se është zgjedhur për të çuar përpara projekte zhvillimi dhe jo për të ndjekur vizione që, sipas tij, kundërshtojnë modernizimin e vendit.

“Unë u votova për t’i bërë këto gjëra të ndodhin. Nuk jam votuar për t’u udhëhequr nga njerëz që kanë një ide të ndryshme se si ta zhvillojnë vendin”, u shpreh Rama.

Kryeministri pranoi se projekti ka shkaktuar debat publik, por argumentoi se investimet e mëdha gjithmonë shoqërohen me polemika.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika”, tha ai.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për ndikimin në zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë, Rama siguroi se mbrojtja e mjedisit mbetet prioritet dhe se Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj për ruajtjen e biodiversitetit.

“Jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për jetën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye të dyshojë në vullnetin tonë të vendosur për të mbrojtur çdo gjë që duhet të mbrohet kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën”, deklaroi ai.

Rama tha se vlerësimi i ndikimit në mjedis do të kryhet gjatë procesit të zhvillimit të projektit dhe se të gjitha procedurat do të jenë në përputhje me standardet europiane.

Kryeministri komentoi edhe vendosjen e gardhit me tela në zonën e investimit, një veprim që shkaktoi reagime dhe përplasje me protestuesit.

“Ka qenë një ide e turpshme”, pranoi Rama, duke iu referuar vendosjes së gardhit që më pas u hoq.

Gjatë bisedës me gazetarët, kreu i qeverisë u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke ritheksuar objektivin për ta çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Sipas tij, zhvillimi ekonomik, investimet strategjike dhe afrimi me standardet e BE-së janë pjesë e të njëjtit vizion për të ardhmen e vendit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu