Ministria e Jashtme e Izraelit ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga fjalimi i kryeministrit te Shqiperisë Edi Rama ne Asamblenë e Përgjithshme në Nju Jork.
Kjo ministri ka vënë ne dukje se Rama ka vendosur mbi xhaketë një fjongo të verdhë në mbështetje të pengjeve izraelite të rrembyera nga Hamasi 9 tetorin e kaluar.
Duke u ndalur në tensionet në Lindjen e Mesme, kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh se “duhet të ri kalibrojmë busullën tonë morale në Lindjen e Mesme. Po, por nuk ka asnjë busull morale që të relativizojë dhe largqoftë, të normalizojë terrorin e një organizate terroriste si Hamasi si pjesë e paqes që të gjithë e duam mes Izraelit dhe Palestinës. Ta bësh këtë, do të ishte njësoj si të relativizoje murtajën e antisemitizmit e të pranoje të bashkë ekzistoje me një formë të mbrapshtë të re nazizmi, që është e keqja më e madhe që mund të kishte ndodhur për kaq shumë vjet së pari e mbi të gjitha, për vetë popullin palestinez”.
Por nga ana tjetër, sipas tij “nuk është e vështirë të mos thuhet me zë të lartë e të fortë se kaq shumë dhunë e shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin ashtu edhe për Palestinën dhe duhet të ndalet. Konfirmojmë edhe një herë këtu, mbështetjen kombëtare për një zgjidhje të drejtë e gjithëpërfshirëse të konfliktit izraelito-palestinez mbështetur në zgjidhjen me dy shtete”, deklaroi kryeministri Rama.
Ndërkohë edhe në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e Hebrenjve kryeministri foli në lidhje me luftën mes Hamasit dhe Izraelit.
Kreu i qeverisë e cilësoi organizatën palestineze Hamas, si një nga shëmbëlltyrat më të këqija në botë dhe tha se bota duhet të jetë e bashkuar në luftën ndaj terrorit.
Kryeministri Rama ka bërë një paralelizëm mes Hamasit, dhe Shtetit Islamik ISIS e nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Ai shtoi gjithashtu se sado që një armëpushim është i nevojshëm për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve, armëpushim pa lirimin e pengjeve vetëm inkurajon Hamasin.