Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i është përgjigjur eurodeputetit Fredi Beleri lidhur me deklaratat e këtij të fundit për Zvërnecin dhe çështjet e pakicës greke në Shqipëri.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se Zvërneci ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe kundërshtoi përdorimin e termit “Epir i Veriut”.

“O Zoti Eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë”, shkroi Balla.

Ai i kërkoi eurodeputetit të përdorë emërtimet zyrtare, duke theksuar se kjo është edhe ajo që kërkohet nga institucionet europiane.

Balla nënvizoi se respektimi i shtetit të së drejtës, mbrojtja e pronës private dhe garantimi i të drejtave të pakicave kombëtare janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe europiane për Shqipërinë.

“Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare, jini të sigurt se këto për ne janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe angazhime europiane”, deklaroi ai.

Në fund të reagimit, Balla akuzoi Belerin se po bën politikë duke shtrembëruar faktet dhe historinë, ndërsa paralajmëroi se debati do të vijojë në institucionet europiane.

“Mos bëj politikë duke shtrembëruar fakte dhe historinë. E vazhdojmë në Strasburg muajin tjetër këtë diskutim për gjithçka bëjmë ne për pakicën shumë të respektuar greke në Shqipëri”, përfundoi Balla.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu