
Ivanka Trump ka folur gjerësisht për projektin turistik që familja e saj po zhvillon në Shqipëri, duke e cilësuar investimin në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit si “sfidën më të madhe” të jetës dhe karrierës së saj.
Në një bisedë me David Senra në episodin “Ivanka Trump në ndërtimin e një jete autentike”, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump tregoi se ishulli i Sazanit u zbulua rastësisht gjatë një udhëtimi në Mesdhe.
“Ishim në varkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Notuam drejt ishullit, u ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Ai vend na ka mbetur në mendje që prej asaj dite”, rrëfeu ajo.
Sipas Ivanka Trump, projekti që po zhvillohet në Shqipëri nuk është thjesht një investim ekonomik, por një mision personal që përmbledh të gjithë eksperiencën e saj në fushën e pasurive të paluajtshme.
“Për mua nuk është as biznes, pavarësisht përmasës së projektit. Ndihet më shumë si një sfidë sesa si një biznes. Është kulmi i gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme”, tha ajo.
Trump shpjegoi se qëllimi i projektit është të zhvillojë potencialin e zonës duke respektuar natyrën dhe peizazhin unik të Sazanit dhe Zvërnecit.
Ajo bëri të ditur se në hartimin e projektit janë përfshirë disa nga arkitektët më të njohur në botë, ndërsa theksoi se arkitektura duhet të integrohet plotësisht me territorin dhe jo ta dominojë atë.
“Po përpiqemi të ndërtojmë diçka që pasqyron këtë vizion. Kur arrin të bashkosh një arkitekturë me kuptim, të bukur dhe funksionale, atëherë krijon diçka të veçantë”, u shpreh ajo.
Ivanka Trump zbuloi gjithashtu se po përpiqet të njohë më mirë Shqipërinë përmes letërsisë dhe autorëve shqiptarë.
“Po lexoj shkrimtarët më të mirë shqiptarë dhe po përpiqem ta kuptoj vendin përmes syve të tyre. Nuk mund të imponohesh mbi një vend apo një kulturë. Duhet fillimisht ta kuptosh atë”, tha ajo.
Projekti i familjes Kushner në Shqipëri përfshin zhvillimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit dhe një kompleks turistik në zonën e Zvërnecit. Investimi është vlerësuar me miliarda dollarë dhe konsiderohet një nga projektet më të mëdha turistike të shpallura ndonjëherë në vend.
Ndërsa mbështetësit e shohin si një mundësi historike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë, projekti ka nxitur edhe debate mbi ndikimin mjedisor dhe menaxhimin e një prej zonave më të veçanta të bregdetit shqiptar.






