
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me banorët dhe sipërmarrësit në Theth, ku mbrojti Paketën e Maleve, duke theksuar se ajo synon t’u japë mundësi zhvillimi vetëm pronarëve dhe trashëgimtarëve të tokave në zonat malore.
Rama hodhi poshtë pretendimet se nisma është në funksion të biznesmenëve apo oligarkëve, duke deklaruar se paketa është krijuar për të vënë në lëvizje ekonominë e familjeve që trashëgojnë prona në këto territore dhe për të nxitur zhvillimin e turizmit malor.
Duke iu referuar ndërtimeve pa leje në Theth, kryeministri tha se do të legalizohen vetëm objektet ekzistuese, ndërsa ndërtimet e reja të paligjshme nuk do të tolerohen. Sipas tij, zhvillimi duhet të bëhet me projekte të miratuara, në mënyrë që të ruhet identiteti dhe potenciali turistik i zonës.
Gjatë takimit, Rama u ndal edhe te mundësitë e financimit për sipërmarrësit, duke përmendur programin “Dyfisho sipërmarrjen”, i cili parashikon kredi me interesa të ulëta, garanci shtetërore dhe mbështetje për investimet në turizëm.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se brenda dy javësh pritet të nisë projekti për rrugën e Dukagjinit, ndërsa u shpreh se investimet dhe zhvillimi ekonomik janë të domosdoshme për rritjen e të ardhurave dhe financimin e projekteve infrastrukturore.






