Ish-ministrja e Jashtme dhe e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për dyshime që lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Zhvillimi lidhet me hetimet ndaj bashkëshortit të saj, ish-deputetit socialist dhe biznesmenit Artan Gaçi, për projektin e një resorti turistik në bregdetin e Himarës.

Sipas gazetares Klodiana Lala, SPAK i ka komunikuar Xhaçkës statusin e personit nën hetim për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Ish-ministrja është paraqitur të mërkurën në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, vetëm pak minuta pasi nga institucioni ishte larguar bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, i cili gjithashtu është nën hetim për të njëjtat akuza.

Sipas raportimit të Dosja.al, hetuesit kanë siguruar të dhëna që ngrenë dyshime për përfshirjen e ish-ministres në veprime korruptive dhe transaksione të kryera përmes kompanive të bashkëshortit.

Në qendër të hetimeve është projekti turistik “Dreamades Luxury Suites”, i planifikuar për t’u ndërtuar në Gjilekë të Himarës.

Në vitin 2021, kompania “AG.TCC”, në pronësi të Artan Gaçit, përfitoi statusin e investitorit strategjik për një projekt me vlerë të deklaruar rreth 5.5 milionë euro.

Investimi parashikonte ndërtimin e një strukture turistike luksoze, ndërsa kompanisë iu dha edhe e drejta e përdorimit të një zone bregdetare për një periudhë 30-vjeçare.

Por projekti u përfshi në polemika dhe hetime për mënyrën e përfitimit të pronës ku ishte planifikuar ndërtimi.

Çështja lidhet me një sipërfaqe prej 5.512 metrash katrorë në Gjilekë, për të cilën janë ngritur pretendime se ishte regjistruar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara.

Kallëzimi penal i bërë nga Fredi Beleri në SPAK përfshinte Artan Gaçin, Olta Xhaçkën dhe ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.

Hetimet për pronën dhe projektin e investimit strategjik kanë qenë prej vitesh në qendër të debatit politik, ndërsa zhvillimi i fundit shënon një fazë të re të çështjes, me komunikimin e statusit të personit nën hetim edhe për ish-ministren Xhaçka.

Marrja nën hetim nuk përbën shpallje fajësie. Përgjegjësia penale e personave të përfshirë mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu