
Dita e katërt e protestave në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Pas rreth dy orësh tensionesh pranë Ministrisë së Arsimit, një grup protestuesish të maskuar ka sulmuar godinën e Ministrisë së Ekonomisë, duke thyer derën e hyrjes dhe duke i vënë flakën.
Sipas raportimeve të Shqiptarja.com, rreth orës 15:41, protestuesit kanë shqyer derën e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa disa prej tyre kanë hyrë në ambientet e godinës.
Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 15:48, është raportuar se dera e institucionit është përfshirë nga flakët. Zjarri është shuar në kohë, pa marrë përmasa më të mëdha.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët më pas janë zhvendosur drejt Kryeministrisë.
Më herët, Ministria e Arsimit ishte kthyer në epiqendrën e përplasjeve. Protestues të maskuar kanë shkulur pllaka nga trotuaret, i kanë thyer dhe i kanë përdorur për të goditur efektivët e policisë dhe godinën e institucionit.
Forcat e rendit janë përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa gjatë përplasjeve janë raportuar edhe shoqërime të protestuesve.
Marshimi, i nisur rreth orës 11:00, ka përshkuar disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Durrësit, zonën e Zogut të Zi, 21 Dhjetorin dhe Rrugën e Kavajës.
Gjatë lëvizjes janë djegur kosha mbeturinash, janë dëmtuar kangjella dhe tabela rrugore, ndërsa disa protestues të maskuar kanë goditur edhe kamerat e sigurisë me shufra hekuri.
Në mes të përplasjeve, një grup vajzash protestuese ka tentuar të ndalojë sulmet me gurë, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të mos qëllojnë më drejt policisë.
Protestat kanë vijuar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Vlorën, Elbasanin, Lezhën, Durrësin, Gjirokastrën dhe Dibrën, ku janë raportuar incidente, dëmtime të pronës dhe përplasje me forcat e rendit.
Në Vlorë, protestuesit kanë çarë kordonin e policisë pranë selisë së Partisë Socialiste, ndërsa një vajzë ka humbur ndjenjat dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit.
Dita e katërt e protestave ka sjellë kështu një tjetër përshkallëzim të situatës, ndërsa kërkesat e të rinjve për kushte më të mira në arsim, mundësi punësimi dhe ndryshime politike vijojnë të shoqërohen me episode dhune në rrugët e vendit.






