Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka interpretuar vendimin e Erion Veliajt për t’i hequr Anuela Ristanit kompetencat e deleguara si nisjen e një përplasjeje të hapur mes kryebashkiakut të Tiranës dhe kryeministrit Edi Rama.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetari, Berisha deklaroi se momenti i zgjedhur nga Veliaj për marrjen e këtij vendimi dëshmon, sipas tij, dobësimin politik të Ramës.

“Akti i djeshëm i Erion Veliajt dëshmon përfundimisht se Edi Rama po bëhet një kalë i ngordhur, që dalin tani t’ia heqin edhe patkonjtë”, u shpreh Berisha.

Kreu demokrat pretendoi se Rama ndodhet në një situatë të vështirë politike dhe se Veliaj ka nisur ta sfidojë hapur.

“Në këtë kuadër është fillimi i hapur i sulmit të Erion Veliajt ndaj tij. Momenti që u zgjodh nga Erion Veliaj për t’i hedhur dorezën dhe për ta sfiduar në mënyrë përfundimtare është dëshmi e dobësisë ekstreme të Edi Ramës”, tha ai.

Berisha iu referua edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi procedurën për shkarkimin e Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ai saktësoi se Anuela Ristani nuk është shkarkuar nga posti i nënkryetares së Bashkisë, por i janë hequr të gjitha kompetencat që i ishin deleguar më parë.

Sipas Berishës, fakti që Veliaj nuk ia delegoi kompetencat një drejtuesi tjetër të Bashkisë tregon se ai synon t’i mbajë vetë dhe t’i dërgojë një mesazh të drejtpërdrejtë Ramës.

“I mbante vetë Erion Veliaj, duke i thënë Edi Ramës: ‘Dil në mejdan, të tregoj se sa vlen ti’”, deklaroi kreu demokrat.

Berisha e cilësoi përplasjen mes tyre si një zhvillim pozitiv për opozitën, por tha se qytetarët e Tiranës mbeten viktimat e situatës së krijuar në drejtimin e Bashkisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu