Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu kinez Xi Jinping zhvilluan të enjten bisedime në Shtëpinë e Bardhë, në një takim të nivelit të lartë mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Trump deklaroi pas takimit se kishin zhvilluar një “takim të shkëlqyer”.

Xi ndodhet në SHBA për një vizitë shtetërore treditore. Presidenti kinez u prit me ceremoni të posaçme, tapet të kuq dhe nderime ushtarake, përpara se dy delegacionet të nisnin bisedimet në Zyrën Ovale.

Në qendër të diskutimeve ishin tregtia, teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale, por edhe çështjet e sigurisë dhe Tajvani. Trump tha para takimit se SHBA dhe Kina kishin bërë përparim në marrëdhëniet mes tyre dhe se bisedimet do të përfshinin sigurinë, teknologjinë dhe atë që ai e quan “super intelligence”.

Tajvani mbetet një nga pikat më të ndjeshme mes dy vendeve. Xi tha se Kina shpreson që SHBA të trajtojë me kujdes çështjen e Tajvanit dhe të mbajë qëndrimin kundër pavarësisë së ishullit.

Takimi zhvillohet ndërsa Uashingtoni dhe Pekini përpiqen të menaxhojnë rivalitetin ekonomik dhe teknologjik. Armëpushimi në luftën tregtare mes dy vendeve është zgjatur deri në janar, ndërsa mbeten të hapura çështje të rëndësishme për tregtinë, teknologjinë dhe Inteligjencën Artificiale.

Xi bëri gjithashtu thirrje për vazhdimin e dialogut dhe trajtim të drejtë të kompanive kineze në SHBA. Në një gjest simbolik, ai njoftoi se dy panda gjigante do të dërgohen në kopshtin zoologjik të Atlantës, duke rikthyer të ashtuquajturën “diplomaci e pandave”.

Vizita vazhdon me një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të marrin pjesë edhe drejtues të kompanive të mëdha të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu