
Një aksident i rëndë në punë është regjistruar këtë të shtunë në një minierë në Bulqizë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 13:00, në zonën e Tërnovës së Madhe, shtetasi I. K., 40 vjeç, banues në Burrel dhe me detyrë minator/brigadier në një subjekt privat, dyshohet se ka rënë në një furnel gjatë procesit të punës.
Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari është mbuluar nga materiali i kromit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e minatorit.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur veprimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.






