Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Senatin italian, Francesco Boccia, ka krahasuar mbërritjen e anijes “Vlora” në Bari në vitin 1991 me krizën aktuale të emigrantëve në Ceuta, duke akuzuar qeverinë e Giorgia Melonit se po përdor propagandën në vend të humanizmit.

Në një reagim të publikuar në Instagram, Boccia kujton se më 8 gusht 1991 anija “Vlora” mbërriti në portin e Barit me rreth 20 mijë shqiptarë që largoheshin nga Durrësi në kërkim të një jete më të mirë.

Ai vlerëson qëndrimin e atëhershëm të kryebashkiakut të Barit, Enrico Dalfino, i cili deklaroi se emigrantët ishin “njerëz të dëshpëruar” që nuk mund të ktheheshin mbrapsht.

Sipas Boccias, pamjet e emigrantëve në Ceuta ngrejnë të njëjtin detyrim moral edhe sot. Ai kritikon qeverinë e Melonit për vendimin për rikthimin e kontrolleve ndaj udhëtarëve nga Spanja, duke argumentuar se Ceuta nuk është pjesë e hapësirës Schengen dhe se emigrantët që mbërrijnë atje nuk mund të lëvizin lirshëm në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

Politikani italian thekson se kufijtë duhet të mbrohen dhe trafikantët të luftohen, por shton se demokracitë nuk duhet të përdorin vuajtjet dhe vdekjet e njerëzve për të fituar mbështetje politike.

Deklarata e tij vjen në kulmin e debatit në Itali dhe Bashkimin Evropian pas krizës së emigrantëve në Ceuta dhe vendimit të Romës për të vendosur kontrolle të përkohshme ndaj mbërritjeve nga Spanja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu