Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale ku shfaqet një shtetas italian i dëmtuar, duke sqaruar se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut, rreth orës 22:00, në zonën pas Pallatit të Kulturës.

Sipas Policisë, shërbimet e Komisariatit nr. 1 ndërhynë menjëherë pas njoftimit për një konflikt dhe në vendngjarje gjetën shtetasin italian G.M., me dëmtime të lehta sipërfaqësore. Ai ishte ndihmuar fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake, ndërsa më pas u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

Mjekët konstatuan se turisti ishte i vetëdijshëm, jashtë rrezikut për jetën dhe me plagë të lehta në gjymtyrë. Megjithatë, pas marrjes së ndihmës së parë, ai u largua nga spitali me dëshirën e tij, pa përfunduar ekzaminimet mjekësore.

Policia bën me dije se shtetasi italian nuk pranoi të bënte kallëzim për autorët e konfliktit, ndërsa edhe dy shokët që e shoqëronin nuk dhanë informacion mbi rrethanat e ngjarjes.

Pavarësisht kësaj, grupi hetimor ka vijuar hetimet. Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se shtetasi italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës.

Policia thekson se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu