Tensione dhe përplasje janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të premteje gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Militantë dhe mbështetës të opozitës kanë hedhur shishe molotovi, fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë, duke tentuar të çajnë kordonin e sigurisë dhe të afrohen pranë institucioneve të bllokuara nga forcat e rendit.

Në përgjigje, policia ka përdorur autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të zmbrapsur protestuesit. Pamjet nga protesta tregojnë momente tensioni, me tym, flakë dhe përplasje mes protestuesve dhe uniformave blu.

Kreu i Partia Demokratike, Sali Berisha, është parë mes protestuesve i pajisur me maskë kundragaz, ndërsa policia kishte krijuar kordon sigurie pranë Ministrisë së Brendshme.

Gjatë tensioneve është përfshirë në debat edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili iu drejtua efektivëve të policisë duke i pyetur: “Pse provokoni?”. Bardhi deklaroi se policia duhet “të arrestojë Belinda Ballukun dhe Edi Ramën që kanë vjedhur shqiptarët”, dhe jo protestuesit.

Edhe pse protesta ishte paralajmëruar si paqësore, situata degradoi në përplasje me policinë, ndërsa efektivët vijuan të mbanin pozicionet për të mos lejuar depërtimin e protestuesve përtej kordonit të sigurisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu