
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke akuzuar qeverinë për bllokimin e marshimit të protestuesve.
Berisha deklaroi se protesta ishte paqësore, por sipas tij, policia bllokoi rrugën dhe shkeli të drejtën e tubimit.
“Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë, ishim në një marshim paqësor. Dhe marshimi ynë paqësor, u shkelmua Kushtetuta, u shkelmua çdo gjë, u bllokua rruga”, u shpreh ai.
Lideri demokrat akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke deklaruar se “nuk kanë vend në këtë tokë pa shkuar para ligjit”.
“Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit”, tha Berisha.
I pyetur për arsyen pse protestuesit nuk u lejuan të kalonin pranë Ministrisë së Brendshme, Berisha deklaroi se opozita do të përgatitet për “të gjitha format” e reagimit politik.
“Ne po marshonim, ata bllokuan bulevardin, por ne do përgatitemi për të gjitha format dhe i garantoj se e kanë të humbur 100 përqind”, deklaroi ai.
Në fund të reagimit, Berisha akuzoi policinë se po mbron “hajdutë të këtij kombi”, ndërsa përmendi edhe emra të tjerë të lidhur me qeverinë dhe institucionet shtetërore.






