
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë mes tensioneve dhe përplasjeve, pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Incidenti ndodhi pasi Kurti kërkoi kohë shtesë për propozimin e emrit të kryetarit të ri të Kuvendit. Situata u tensionua menjëherë, me përplasje mes deputetëve dhe ndërhyrjen e forcave të sigurisë, ndërsa seanca u ndërpre.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, i kërkoi Vetëvendosjes të paraqesë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të mos pengojë vazhdimin e procesit konstituiv.
Pas seancës, Kurti deklaroi se Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por e lidhi konstituimin e institucioneve me arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike, që sipas tij duhet të përfshijë edhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Kurti paralajmëroi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje që garanton edhe zgjedhjen e presidentit mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja.
“Prandaj insistimi ynë i drejtë është që të ulemi, të bisedojmë, të merremi dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshjeje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshjeje mes meje dhe liderëve të partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin, Qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”, deklaroi Kurti.
Ai u bëri sërish thirrje drejtuesve të partive parlamentare që të ulen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një marrëveshje politike.
I pyetur për incidentin me vezë, Kurti tha se nuk shqetësohet nga një veprim i tillë, nëse ky është çmimi për të arritur dialogun mes forcave politike.
“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, ankohem që ata nuk dialogojnë”, tha Kurti.






