
Situata nga zjarret në Krujë është përkeqësuar sërish mbrëmjen e së shtunës, pasi flakët janë riaktivizuar dhe, të favorizuara nga era, po përhapen në drejtim të zonave të banuara.
Operacionet nga ajri janë ndërprerë për shkak të errësirës, ndërsa në terren vijojnë të punojnë forcat zjarrfikëse për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur banesat.
View this post on Instagram
Sipas raportimeve nga zona, flakët rrezikojnë banesa në lagjet Luban, Barabit dhe Abaze, si dhe në zonën e Rrugës së Malit, ku ndodhen edhe biznese. Zjarri është përhapur gjithashtu në drejtim të Ali Lamit dhe Kërçinës.
Situata më problematike paraqitet në lagjen Abaze, ku raportohet se rreth 30 banesa ndodhen në rrezik. Në këtë lagje ka rreth 300 banesa dhe banorët janë në alarm për shkak të afrimit të flakëve.
Më herët gjatë ditës, autoritetet kishin angazhuar edhe mjete ajrore në operacionin kundër zjarrit, ndërsa policia njoftoi arrestimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie.





