
Forcat RENEA kanë përqendruar kërkimet në zonën e varrezave të Korçës për kapjen e Kristjan Sterjos, i identifikuar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit Joan Zuko.
Sipas dëshmitarëve, menjëherë pas krimit, i dyshuari është larguar nga vendngjarja në drejtim të varrezave të qytetit. Për këtë arsye, RENEA po kryen kontrolle të imtësishme në zonë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Më herët, policia dhe forcat speciale kishin kontrolluar edhe banesën e Sterjos, por nuk e kishin gjetur aty.
Joan Zuko u qëllua me kallashnikov teksa po ngjiste shkallët e një pallati në Korçë. Sipas të dhënave paraprake, 20-vjeçari është qëlluar nga pas, në katin e tretë të ndërtesës. Plumbi e ka goditur në pjesën e poshtme të shpatullës, duke i përshkuar trupin.
Në dorën e viktimës, pas ngjarjes, është gjetur edhe një thikë. Tre persona të tjerë janë shoqëruar nga policia në kuadër të hetimeve për konfliktin që i parapriu vrasjes.






