Pas viteve të tëra protestash dhe betejash ligjore, rreth 1,500 qen të racës Beagle do të largohen nga një fermë-laborator në shtetin e Wisconsin-it në SHBA, duke hapur rrugën për një jetë të re larg eksperimenteve.

Marrëveshja u arrit mes organizatave për mbrojtjen e kafshëve dhe kompanisë Ridglan Farms, e cila konfirmoi shitjen e shumicës së qenve që mbaheshin për kërkime shkencore. Numri total i kafshëve në këtë strukturë arrinte rreth 2,000.

Organizata Big Dog Ranch Rescue e cilësoi marrëveshjen si një “fitore të madhe”, ndërsa qentë pritet të transferohen drejt qendrave të specializuara në Florida dhe Alabama.

Para se të adoptohen, kafshët do t’i nënshtrohen kontrolleve veterinare, vaksinimit dhe një procesi rehabilitimi, pasi shumë prej tyre nuk kanë jetuar kurrë në ambiente familjare.

Kjo marrëveshje vjen pas një përshkallëzimi tensionesh më 18 prill, kur rreth 1,000 aktivistë protestuan jashtë objektit. Përplasjet me policinë çuan në përdorimin e gazit lotsjellës dhe arrestimin e 29 personave.

Prej vitesh, aktivistët kanë kërkuar që qentë të mos përdoren për eksperimente, por të jepen për adoptim. Ndërkohë, kompania ka mohuar vazhdimisht akuzat për keqtrajtim, edhe pse ka qenë nën hetim për shkelje të standardeve veterinare.

Në vitin 2025, Ridglan Farms pranoi të heqë dorë nga licenca për mbarështim deri në korrik 2026, duke sinjalizuar mbylljen graduale të aktivitetit.

Pavarësisht marrëveshjes, mbeten ende pikëpyetje për fatin e qindra qenve të tjerë që nuk përfshihen në këtë transferim, si dhe për pasojat ligjore të protestave.

Megjithatë, për qindra kafshë, kjo shënon fillimin e një jete të re – larg laboratorëve dhe më pranë një shtëpie.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu